'Projektimi i Evropës përmes leximit'

Qendra e Informimit e BE-së në Shkodër udhëtoi drejt Fushë Arrëzit, në Veri të Shqipërisë, për të diskutuar me nxënës, studentë, mësues dhe drejtorë të shkollave “Pjetër Arbnori” dhe “70 vjetori i Pavarësisë” mbi rëndësinë e leximit dhe zbulimit të Evropës përmes botimeve dhe librave. Përmes kësaj iniciative, “Projektimi i Evropës përmes leximit”, Qendra e Informimit e Bashkimit Evropian në Shkodër, kishte si qëllim rivitalizimin e bibliotekave të shkollave përmes dhurimit të botimeve të BE-së dhe përfshirjen në diskutime të hapura për çështje të BE-së.

60 vitet e Bashkimit Evropian përmes gjashtë dekadave të progresit të përbashkët që mbulojnë 10 tema kryesore: paqja, demokracia, liria, prosperiteti, zbulimi, barazia, mirëqënia, qëndrueshmëria, influenca dhe diversiteti ishin në fokus të diskutimeve.

“Bashkim Evropian për mua do të thotë që më parë duhet të jemi Evropianë në Shqipëri, sesa Shqiptarë në Evropë”, tha Dorisa nxënëse e shkollës “Pjetër Arbnori” gjatë diskutimeve për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

I pranishëm në aktivitet ishte Kryetari i Bashkisë Fushë Arrëz, i cili theksoi se kjo inicitivë nuk i vjen në ndihmë vetëm nxënësve, por të gjithë qytetit. Qytetarët mund të jenë më afër Bashkimit Evropian përmes informacionit dhe leximeve. Në këtë mënyrë, ato mund të marrin njohuri të sakta se çfarë do të thotë Bashkim Evropian. “Këto libra janë një version i BE-së për ne”, përfundoi Kryetari i Bashkisë, Z. Fran Tuci.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi programet e BE-së, specifikisht ato që lidhen me fushën e edukimit, si platforma eTwinning, programi Erasmus+; Portali i Këndit të Fëmijëve dhe Mësuesve, si një burim i mirë informacioni për metodat e mësimdhënies dhe mundësive të leximit.

Kalendari
i Aktiviteteve

Kanali Youtube i
Delegacionit të BE-së

Startup Albania 2017
Shiko videot e tjera në Youtube!

Postimet tona
në Twitter