Takim teknik 'Të reduktuarit e gjurmës mjedisore dhe të përmirësuarit e efiçiencës së energjisë'

Qendra e Informimit e BE-së në Vlorë mirëpriti takimin teknik "Të reduktuarit e gjurmës mjedisore dhe të përmirësuarit e efiçiencës së energjisë" organizuar nga Aleanca Gjinore për Zhvillim në kuadër të projektit “Turizmi në Sinergji me Eficencën e Energjisë: Krijimi i Destinacioneve Turistike Eko-të Qëndrueshme”, i cili synon të mbështesë zhvillimin e një industrie turistike konkurruese dhe të përgjegjshme përmes përmirësimit të qëndrueshmërisë së industrisë. Ky projekt bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Kombëtar i Greqisë dhe Shqipërisë.

Qëllimi i këtij aktiviteti është të ofrojë informacion mbi metodat dhe masat që duhen ndërmarrë për të zvogëluar gjurmën mjedisore dhe për të përmirësuar efiçencën e energjisë.

Znj. Matilda Naço, eksperte e turizmit, mirëpriti pjesëmarrësit dhe i prezantoi ata me objektivin e përgjithshëm të takimit.

Znj. Klodiana Gorica, lektore në Universitetin e Tiranës, dha informacion mbi zhvillimin e qëndrueshëm të destinacioneve turistike nga këndvështrimi i Shqipërisë dhe konceptet themelore të ETIS-it dhe zgjedhjen e treguesve. Ajo bëri një analizë të ndikimeve ekonomike dhe mjedisore të turizmit me shembuj dhe raste reale.

Ndërsa znj. Elenica Pjero, lektore në Universitetin e Vlorës "Ismail Qemali" shpjegoi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm për rajonin e Vlorës dhe bëri një prezantim mbi kuptimin dhe metodat e llogaritjes së gjurmës mjedisore dhe aplikimin e saj në destinacionet turistike në rastin e Vlorës.

Në takim morën pjesë përfaqësues të bashkisë së Vlorës, profesionistë dhe studentë të cilët diskutuan dhe pyetën rreth projektit.

Kalendari
i Aktiviteteve

Kanali Youtube i
Delegacionit të BE-së

Startup Albania 2017
Shiko videot e tjera në Youtube!

Postimet tona
në Twitter