Shfaqja e filmit 'Faji është i qiellit' dhe debat mbi mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në familje

Më 13 Dhjetor 2017, Qendra e Informimit e BE-së në Shkodër në bashkëpunim me Ambasadën e Vendeve të Ulta organizoi shfaqjen e filmit “Faji është i qiellit” i autores shqiptare Ajola Daja në kuadër të Festivalit të Filmit “Movies that Matter” për të festuar Ditën Ndërkombtare të Fëmijëve (20 nëntor) dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut (10 dhjetor).

Filmi, i cili i kushtohet dhunës në familje dhe pasojave që shkakton ajo në mirëqënien e fëmijëve në Shqipëri u pasua nga një debat mes nxënësve të shkollave “Ndre Mjeda” dhe “Salo Halili”, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mësuesve.

Përfaqësuesit e OJQ-ve lokale "Gruaja te Gruaja"; “Gruaja në Zhvillim” dhe specialistja e Shërbimit Psiko-Social në DAR Shkodër, kontribuan në debat dhe ndanë përvojën e tyre në adresimin e kësaj çështjeje.

Diskutimi u përqendrua kryesisht në rritjen e rolit të të gjithë shoqërisë për ndërgjegjësimin publik rreth reduktimit të dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës në shkollë, në vendin e punës etj.

"Të gjitha format e dhunës në familje shkaktojnë trauma në jetën e fëmijëve dhe prekin shëndetin e tyre mendor. Prandaj është e rëndësishme të ngriheni dhe ndërgjegjësohemi kundër çdo forme të dhunës në çdo vend që ndodh", theksoi Znj. Suela Domnori, përgjegjëse e Shërbimit Psiko-Social në DAR Shkodër.

“Filmat janë një mjet i fuqishëm që ndikon pozitivisht tek njohuritë dhe sjellja e të rinjve në shoqërinë shqiptare dhe kudo në botë”, theksoi Znj. Celstina Mucollari, nga organizata “Gruaja te Gruaja” ndërsa Znj. Fiorela Plani bëri një shpjegim të hollësishëm rreth të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave të njeriut përmes shembujve konkretë.

Kalendari
i Aktiviteteve

Kanali Youtube i
Delegacionit të BE-së

Startup Albania 2017
Shiko videot e tjera në Youtube!

Postimet tona
në Twitter